Tani që vëmendja është monedha më e vlefshme, brandet duhet të gjejnë mënyra gjithnjë e më kreative për ta tërhequr atë nga publiku. JD Sports dhe The North Face, dy brande të dashura për rininë e Britanisë së Madhe, e kuptuan këtë më së miri. Dhe ja ku erdhi një ide e thjeshtë, por gjeniale: të vishnin një monument.
Këto dy kompani zgjodhën një nga simbolet më ikonike të Londrës, Big Ben-in, dhe e veshën me një xhaketë nga The North Face, që rri si e fryrë. Por jo, nuk përdorën as vinça e as krijimin e një xhakete gjigande për ta vendosur. Në të vërtetë ishte thjesht një manipulim dixhital, i shpërndarë përmes rrjeteve sociale.
Rezultati? Një produkt placement që nuk kërkonte shpjegime. Mesazhi ishte i qartë: produktet tona janë aq të mëdha – figurativisht dhe literalisht – saqë mund të veshim edhe një monument.
Gjithashtu funksionoi shumë mire, pasi vetë fotoja nuk ndihej si product placement. Por më shumë si diçka e re dhe që la mbresa te njerëzit që e panë.
Pse funksionoi?
Fushata arriti 25 milionë shikime në një kohë rekord. Por çfarë e bëri të suksesshme?
- Konteksti lokal dhe krenaria: Big Ben është më shumë se një kullë me orë; është një simbol i identitetit britanik. Duke zgjedhur këtë monument, fushata ndërtoi një lidhje emocionale me audiencën lokale.
- Kurioziteti viral: Ideja e të “veshurit” një objekt historik është e çuditshme, por pikërisht kjo lloj absurditeti është ajo që tërheq vëmendje.
- Thjeshtësia: Nuk kishte nevojë për një narrativë të gjatë. Ishte një imazh i fuqishëm që fliste vetë.
A mund të funksionojë edhe gjetkë?
Tani, imagjinoni të njëjtin koncept, por në një vend tjetër. A do të funksiononte të vishnim Skënderbeun me një xhaketë sportive? Ndoshta po. Por vetëm nëse bëhet me ndjeshmërinë dhe kontekstin e duhur.
Big Ben-i nuk është një figurë historike me të njëjtin lloj simbolike heroike si Skënderbeu. Ndaj, të “veshësh” një monument në mënyrë të tillë duhet të jetë një akt që nderon dhe frymëzon, jo thjesht një marifet marketingu.
Në fund të ditës, nuk është vetëm çfarë shet, por si e tregon historinë. Dhe ndonjëherë, për të tërhequr vëmendje, gjithçka që duhet është të mendosh pak më ndryshe.
A do të guxoni ta “vishni” markën tuaj në diçka të jashtëzakonshme?

No Comments