4.74 bilion njerëz përdorin rrjetet sociale. Pra, 59% e popullësisë globale është online duke i bërë mediat sociale pjesë të pandarë të gjithësecilit prej nesh. Mënyra si komunikojmë, kërkojmë informacion, inspirohemi dhe bëjmë biznes ka ndryshuar përgjithmonë.
Kthejmë kokën pas dhe bëjmë një rishikim të platformave që kanë patur impaktin më të fuqishëm në vitin që lamë pas. 

Facebook shpallet mbreti i rrjeteve sociale për vitin 2022 me mbi 2.9 bilion përdorues. Përdoruesit më të shpeshtë për vitin që lamë pas ishin meshkujt e moshës 25 – 34 vjeç. Prej vitesh gjigandi nën logon Meta është shndërruar në një pikë takimi për bizneset dhe konsumatorët. Mbi 200 milion biznese në nivel global përdorin shërbimet e Facebook për të promovuar sipërmarrjet e tyre dhe për të komunikuar me audiencën. Këto fakte e bëjnë Meta-n zgjedhjen e pashmangshme për bizneset e të gjitha tipologjive, pavarësisht se rivalizohet vazhdimisht nga rrjetet si Instagram, Twitter, Linkedin. 

Youtube renditet i dyti me 2.5 bilion përdorues në një vit me plot sfida dhe risi. Gjigandi i videove vazhdon një ‘luftë’ të drejtpërdrejtë me Tik-Tok që nga lançimi i Youtube Shorts në vitin 2020. Në kundër përgjigje Youtube po i jep më shumë mundësi krijuesve për të fituar të ardhura në kohë më të shkurtër nëpërmjet videove 60-sekondëshe që tërheqin vëmendjen e audiencës. Kjo duket se nuk e tremb Tik-Tok, i cili ndryshe nga Youtube ka aplikacionin e dedikuar për video ku krijuesit mund të shpërndajnë përmbajtje më të gjatë, deri në 10 minuta. Ngelet për tu parë si do zhvillohet ky rivalitet në 2023. 

WhatsApp, platforma më e përdorur e komunikimit në botë me mbi 2 bilion përdorues aktiv. WhatsApp po zhvillohet duke u transformuar në një showroom për sipërmarrjet dhe konsumatorët, ku bizneset listojnë produktet, njoftojnë klientët dhe i suportojnë në kohë reale për cdo kërkesë. Po biznesi im është pjesë e rrjetit WhatsApp business? 

Instagram në nivel global rezulton si rrjeti social më i vizituar për inspirim përpara cdo blerje. Pra, 1.4 bilion njerëz janë para ekranit duke ndjekur përmbajtjet e sjella nga krijuesit dhe kompanitë. Ky fakt duhet të motivojë sipërmarrjet për të qenë aktiv dhe kreativ, pa përmendur forcën e targetimit që Instagram ofron. 

Tik-Tok rrjeti social me ‘engagement’ më të lartë për postim kaloi 1 bilion përdorues për muaj në 2022.  Më shume se sensacion i momentit për ndjekësit, Tik-Tok është kthyer në një ‘fabrikë’ prodhimi dhe promovimi për bizneset dhe krijuesit. Qëllimi i vetëm; Kush është më kreativ? 

WeChat cilësohet një ‘mjet mbijetese’ për 1.26 bilion përdorues. Jo thjesht një rrjet social i zakonshëm por një platformë mundësish ku njerëzit shkëmbejnë para, blejnë produkte, porositin ushqim, rezervojnë taksi, komunikojnë etj. Një aplikacion që po tejkalon limitet në kontinentin aziatik. Kush do jetë platforma e ardhshme e mundësive në Europë? 

Facebook Messenger, rekordmen-i që arrin 1 bilion mesazhe të shkëmbyera në ditë midis bizneseve dhe individëve. Gjithashtu, 1 bilion është numri i përdoruesve që mund të arrihen nëpërmjet reklamave të targetuara. A mendon se Facebook Messenger është një platformë e mërzitshme? Mendoje përsëri. 

Lind pyetja,  po biznesi im duhet të jetë kudo? 

P.s. Artikulli i rradhës do të sjell një parashikim për rrjetet sociale në 2023 dhe çfarë bizneset duhet të ndjekin.

Leave A Comment