Kur hap rrjetet sociale, çdo brand përpiqet të jetë i përsosur, të duket i pastër dhe i kuruar deri në detajin e fundit. Epo Burger King bëri të kundërtën. Në vitin 2020, ata prezantuan një fushatë që sfidoi çdo ide tradicionale të marketingut vizual, sidomos përsa i përket industrisë së fast food-it. Vendosën si foto reklame një hamburger të mbuluar me myk.
Nuk ishte një aksident. Ishte një deklaratë.
Fushata e tyre Hamburgeri me Myk u nis me imazhe që tregonin, The Whopper, ndërsa mbulohej nga myku për një periudhë prej 34 ditësh. Ishte një pamje e dhimbshme për stomakun – një hamburger i zbehur, i mbuluar nga njolla të gjelbërta dhe të bardha.
Reagimet e njerëzve mund të thuash që ishin si përzierje e plotë e stomakut. Disa u larguan me neveri, duke deklaruar se nuk do të hanin më kurrë një Whopper. Të tjerë u frymëzuan, nga sinqeriteti i fushatës.
Pse kjo ishte një strategji e guximshme nga ana e Burger King?
Për shumë vite, fast food-i ka qenë sinonim i ushqimit të shpejtë, të lirë dhe plot konservantë. Burger King e dinte këtë perceptim. Dhe në vend që ta luftonin me fjalë, ata përdorën pamjet për të treguar një të vërtetë të thjeshtë: hamburgerët e tyre nuk zgjasin përjetësisht sepse përdorin përbërës natyralë, pa konservantë artificialë. Nëse ushqimi prishet, kjo është një shenjë që është më afër natyrës sesa laboratorit.
Pavarësisht ndarjes së opinioneve, Burger King e dinte me kë po fliste. Gjenerata e re – veçanërisht Gjenerata Z dhe Millennials i kushtojnë shumë rëndësi shëndetit dhe përbërësve natyralë. Në botën sot, ku transparenca dhe qëndrueshmëria kanë më shumë peshë, një hamburger i mbuluar nga myku bëri më shumë zhurmë sesa çdo reklamë perfekte.
Dhe, në fund, fushata tërhoqi vëmendjen drejt një teme të rëndësishme. Fast food-i nuk duhet të jetë artificial për të qenë i shijshëm.
Pra, çfarë ka më shumë rëndësi: Imazhi apo rezultati? Në pamje të parë, Whopper me Myk duket si një gabim i madh. Por në kohët kur vëmendja është burimi më i kufizuar, ajo bëri pikërisht atë që duhej: tërhoqi interes, nxiti biseda, dhe ndryshoi perceptimin e disa njerëzve për Burger King.
Pra, pyetja nuk është nëse fushata ishte perfekte, por nëse e arriti qëllimin e vet. Për Burger King, përgjigja ishte e qartë: po.
No Comments