Në vitin 2016, Nivea prezantoi fushatën më të pazakontë të marketingut për të promovuar kremin kundër diellit për fëmijë. Në bashkëpunim me agjencinë gjermane të reklamave Jung von Matt/Elbe, kompania krijoi një dron të maskuar si pulëbardhë i cili bënte “gla*ë”, që ishte në fakt krem dielli, mbi fëmijët në plazh.
Ideja pas kësaj fushate ishte që droni në formë pulëbardhe, i pajisur me kamera UV të identifikonte fëmijët që nuk kishin aplikuar krem dielli. Kur droni zbulonte fëmijë pa mbrojtje nga rrezet UV, ai lëshonte krem nga lart, duke imituar jashtëqitjen e pulëbardhave. Qëllimi ishte të ndërgjegjësoheshin fëmijët dhe prindërit për rëndësinë e mbrojtjes nga dielli me mënyrë argëtuese dhe tërheqëse.
Megjithëse fushata synonte të ishte inovative, ajo hasi në kritika të shumta. Gjatë Festivalit Ndërkombëtar të Kreativitetit Cannes Lions, presidenti i jurisë, Sir John Hegarty, e cilësoi atë si “gjënë më budallaqe që kam parë në jetën time”. Ai shtoi me sarkazëm: “Mendova se ekipi i Monty Python e kishte krijuar këtë për të parë nëse do ta votonim.”
Megjithëse koncepti ishte i pazakontë, ndikimi i tij ishte i pamohueshëm. Fushata jo vetëm që ngriti ndërgjegjësimin për markën Nivea me rritje të shitjeve prej 23%, por gjithashtu çoi në rritjen e shitjeve të kremit të diellit për fëmijë me 18% gjatë verës. Për më tepër, ajo gjeneroi bujë të madhe në mediat ndërkombëtare dhe u diskutua gjerësisht, duke treguar fuqinë e ideve që shkojnë përtej normave.
Fushata e Nivea është shembull i shkëlqyer se si marketingu mund të jetë jo vetëm funksional por edhe argëtues, duke sjellë mesazhe të rëndësishme në mënyra që tërheqin vëmendjen. Në fund të ditës, pulëbardhat e tyre ishin një ide që fluturuan lart – në të gjitha kuptimet e fjalës.Për të parë fushatën në fjalë, mund të shikoni videon më poshtë:
No Comments